"30 years"

eugenio

Midis muajit korrik 2018 dhe mars 2019, Eugenio Tibaldi punoi në Tiranë dhe ndërtoi projektin “30 years old”, duke iu referuar një moshe historike, atë të Tiranës pas rënies së regjimit komunist. Në kuadër të një projekti të drejtuar nga Platforma e Artit Bashkëkohor Harabel, Tibaldi punoi me një grup artistësh të rinj të Fakultetit të Arteve Pamore, të gjithë nën 30 vjeç, të cilët gjithashtu prodhuan punët e tyre në përfundim të një procesi hulumtues dhe analizues, duke paraqitur një parafytyrim të ndryshimit 30 vjeçar të Tiranës post-komuniste. Të gjitha veprat së bashku u prezantuan në një ekspozitë në Galerinë FAB. Në pamje të parë vepra e Tibaldit duket si pikturë e një lagjeje informale të Tiranës, por për ata që
e njohin, bëhet e qartë se kjo copë qyteti nuk është reale. Kështu, përmes veprës së tij dhe paraqitjes së saj si midis pikturës akuarel dhe projektit arkitektonik, Tibaldi bën thuajse një propozim muzeal: po si kur copa të informalitetit tiranas 30-vjecar të bashkoheshin në një kompleks godinash, përpara se koha dhe dëshira për uniformitet t’i shuajë të gjitha? Tibaldi i sheh këto imperfeksione arkitektonike si nuanca të gjalla të narrativës shqiptare të tranzicionit, ai sugjeron që ato të vështrohen si dëshmi e lirisë, produkt i vetë historisë socio-politike shqiptare. Cilido qoftë gjykimi ynë estetik, këto mikro-ndërtesa janë elemente pjesëmarrëse historike, të afta të tregojnë historinë e ndryshimit.

  • Share