“Intimja Publike”

gent gjikola

“Ky pavijon është ndërtuar me punët e 3 artistëve shqiptarë të zhanreve të ndryshme nga vitet 1960-të e në vazhdim. Pavijoni paraqet punët e Safo Markos (1925 – 2012), një nga grafistet dhe pllakatistet politike më të mira shqiptare të shek.20; të Shyqyri Sakos (dtl. 1937), një nga piktorët më të mirë të filmit dhe pllakatit të filmit shqiptar, sidomos gjatë viteve të ekzistencës së Kinostudios “Shqipëria e Re”, dhe Ilia Tërpinit (1938 – 2018) një nga operatorët më të njohur të filmave shqiptarë gjatë viteve 1960- të e deri në vitet 2000-jë. Qëllimi i këtij pavijoni nuk është evidentimi i talenteve të pazbuluara dhe “një hakmarrje e vonuar” e merituar që hedh dritë mbi një brez të talentuar artistësh të cilët u fundosën nga sistemi për tendenca moderniste në art – është e rëndësishme të theksohet se të gjithë artistët pjesëmarrës në këtë pavijon e u përfshinë me vullnetin e tyre të lirë në projekte madhore të realizmit socialist në fusha të ndryshme në art. Ndaj, nënvizoj me forcë këtu se ky pavijon është një përpjekje kuratoriale për evidentimin e mospërfilljes, shmangies, anashkalimit, e deri luftën kundra, në nivele teknike, hierarkike dhe silogjistike gjatë dominimit të realizmit socialist në Shqipëri, si shkollë dhe produkt, kundër shprehive artistike të cilësuara si minore, parapregatitore dhe tranzitore, ku këta artistë, me punën e tyre, evidente, shkëlqyen. Eshtë disi absurde ta mendosh, po në një rrafsh strategjik, mospërfshirja e këtyre zhanreve si shprehi e gamës kreative brenda sistemit të realizmit socialist i solli kësaj shkolle arti realist shumë më tepër reputacion recidivist sesa aktualisht e meritonte. Ekzistenca e këtyre punëve këtu është dëshmi për këtë tezë. Realizmi socialist dominoi në Shqipëri si shkollë e mirëfilltë dogmatike arti dhe si frymë për gati 30 vjet (nga fundi i viteve 1950-të e deri në fund të viteve 1980-të). Kjo është një periudhë e cila në art identifikohej përmes, më së shumti, veprës monumentale dhe heroike, triumfit dhe apoteozës. Elementë themeltarë të natyrës njerzore si e përditshmja, e zakonshmja, rudimentarja, dëshpërimi, mallëngjimi, emocioni i pakontrolluar apo natyrshmëria brutale, reduktoheshin dhe thuajse eleminoheshin nga vepra përfundimtare, që thuajse gjithmonë shfaqej në pikturë dhe skulpturë monumentale, apo film dramatik. Vepra finale prezantohej prerazi si pozë hieratike me lexime të qarta ideologjike dhe staturë formale doksatike. Po të përdorim një paralelizëm që kuptohet mirë nga një brez që lindi dhe jetoi mes realizmit socialist dhe realitetit artistik post-komunist më tepër kish rëndësi traktori sesa traktoristi. Nëvazhdim të të njëjtës logjikë, ky pavijon i kushtohet “traktoristëve” dhe “mekanizmave ndërlidhës të traktorit”, më të rëndësishëm tashmë, në këtë periudhë që jetojmë, se sa vetë traktorit. Në një shikim të qetë tani, duket qartë tashmë që teksa traktori ‘politik’ ndryshket në hije, i pakuptimtë, i rrënuar, i mohuar, shumë nga ingranazhet e tij teknike, artistike, intime, akoma shkëlqejnë.
For this, we really have to thank postmodernism.” – Teksti nga Genti Gjikola.

  • Share